Të fundit

Profesor Nexhat Agushi: Bashkimi Luginës me Kosovë, përveç që i natyrshëm është edhe realitet administrativ

Fakte nga Nexhat Agushi

Bashkimi me Kosovë, përveç që i natyrshëm është edhe realitet administrativ

Është diskutuar dhe ende diskutohet se bashkimi i komunave të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës është vetëm politikë e qarqeve të caktuara dhe shfrytëzim i rastit për t’u ekspozuar. Pavarësisht këtyre thashethemeve, gjithmonë kam pasur dhe kam bindje se një gjë e tillë mund të realizohet, por me unifikimin e autoriteteve politike shqiptare dhe me angazhimin e shqiptarëve në tërësi.
Që nga fillimi i viteve të 90-ta e deri më sot, shumica e dokumenteve, deklaratave politike dhe shkresave tjera publike të dalura nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe shoqatave në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë bazuar në rezultatin e suksesshëm të Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 për “Autonomi territoriale politike me të drejtë bashkimi me Kosovë”, që ishte vullnet popullor për realizimin e së drejtës për bashkim.
Gjithashtu, fakt tjetër shumë i rëndësishëm është se shqiptarët e mbetur jashtë Kosovës, nën administrimin e Serbisë, duke e parë se të drejtat e tyre kombëtare nuk po mund t’i realizonin me mjete paqësore, si me referendum, deklarata politike, protesta e demonstrata, gjatë viteve 2000-2001 organizuan dhe zhvilluan luftën për çlirim dhe bashkim me Kosovë përmes UÇPMB-së – Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Të gjitha këto sfida e angazhime bazoheshin dhe bazohen në shumë argumente, përveç lidhjeve kombëtare, gjuhësore, farefisnore, historike, gjeografike e fetare, po ashtu edhe në faktin se këto territore gjatë shekujve ishin si një tërësi integrale e Anamoravës dhe si trung i përbashkët edhe përmes rregullimeve administrative. Në lidhje me këtë çështje ekzistojnë shumë fakte nga historia e shqiptarëve, por për këtë duhet të flasin dhe kontribuojnë vetë historianët shqiptarë. Megjithatë, këtu po e paraqes vetëm një dëshmi apo dokument të lëshuar nga organi përgjegjës rreth katër dekada e gjysmë më parë, respektivisht gjatë viteve të 70-ta kur njerëzit tanë, konkretisht baballarët tanë pajiseshin me dokumente nga Bashkësia e Sigurimit Shëndetësor të Bujqëve të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, ku sipas këtij dokumenti përfshihej edhe komuna e Preshevës në cilësinë e degës. Dokumenti i titulluar “Fletëparaqitja e ndryshimeve” është lëshuar në Raincë në vitin 1976 me vulën e Kuvendit Komunal të Preshevës dhe Zyrës së vendit në Raincë dhe në të cilin dëshmohet se formulari OZ-2 është në gjuhën shqipe me mbishkrime të KSA të Kosovës, ndërsa në gjuhën serbe figurojnë të dhënat e përgjithshme të obliguesit për kontributin e sigurimit shëndetësor të bujkut. Dokumenti në fjalë, në anën e majtë posedon mbishkrimin Bashkësia e Sigurimit Shëndetësor të Bujqëve të KSA të Kosovës, ndërsa në anën e djathtë shkruan “Filiala në Preshevë” dhe “Komuna Preshevë”.
Besoj se dokumente të tilla dhe të ngjashme posedojnë shumë nga bashkëqytetarët tanë dhe shfrytëzoj rastin të përcjell mesazhin që të njëjtat të publikohen sa më parë për t’i ofruar dëshmi politikanëve shqiptarë pjesëmarrës në negociata midis Kosovës dhe Serbisë dhe për t’i paraqitur këto dëshmi në takimet me autoritetet vendimarrëse ndërkombëtare.
Gjithashtu, mbaj mend edhe Agjensionin e Autobusëve “KOSOVATRANS”, i cili gjatë viteve të 80-ta mbulonte linjat e udhëtimeve lokale në territorin e Preshevës, si dhe linjat rajonale Preshevë – Bujanoc – Gjilan – Prishtinë, etj.
Meqë pata fatin të punoja me ndërkombëtarët rreth një dekade, posedoj edhe dokumente zyrtare të tyre, ku rajonit të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i referoheshin me emërtimin Luginë e Preshevës (Presevo Valley).

Bazuar në këto dëshmi e shumë të tjera që mund të ketë, vlerësoj se ne shqiptarët, në vend të termit “bashkim”, duhet t’i referohemi termit “ribashkim” sepse vetë Serbia na ka ndarë nga trungu dhe ka vendosur të mbetemi nën administrimin e saj pa vullnetin tonë.

Gusht 2020, Preshevë