Lajme

Presidenti Hashim Thaçi sot ka bërë nderime te varri i Rugovës

Presidenti Hashim Thaçi ka shkuar sot për të bërë nderime te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova në 13-vjetorin e vdekjes. Aty Rugovën e ka cilësuar njeri të dialogut, negociatave, të marrëveshjeve të brendshme dhe me rol unifikues. Në këtë mënyrë Thaçi ka thumbuar LDK-në e Isa Mustafës e cila nuk po i bashkohet në bisedimet me Serbinë.

Thaçi nuk ka folur as për atë se a do t’ia dorëzojë letrat e negociatave ekipit negociator.

I pari i vendit, Hashim Thaçi, nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a do të takohet gjatë ditës me ekipin negociator për t’ia dorëzuar dokumentacionin e kërkuar.

Gjatë homazhe pranë varrit të ish’presidentit Ibrahim Rugova, Thaçi pati pak fjalë.

“Sot shënojmë 13-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, një prej arkitektëve të pluralizmit politik në Kosovë, njeriut të dialogut, të negociatave, të marrëveshjeve të brendshme por edhe në rrafshin ndërkombëtar, të angazhimeve unifikuese, të përpjekjeve maksimale për liri dhe pavarësi të Kosovës prandaj sot bëjmë nderimet më të larta të Kosovës, si president i vendit dhe si bashkëpunëtor i tij”, deklaroi presidenti para mediave.

Javën që lamë pas, presidenti kishte paralajmëruar se sot gjatë ditës do të takohet me ekipin negociator për bisedimet Kosovë – Serbi, për t’iu dorëzuar dokumentet zyrtare që ndërlidhen me procesin e deritanishëm negociator në Bruksel.

Kështu kishte paralajmëruar presidenti Thaçi javën që shkoi, duke thënë se ai u ka bërë të qartë bashkëkryesuesve se deri më tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar apo draft-marrëveshje e përgatitur nga BE-ja.

“Unë në vazhdimësi i kam informuar të dy bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator për të gjitha temat që janë diskutuar deri më tani në Bruksel, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, ua kam bërë të qartë se deri më tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar apo draft-marrëveshje e përgatitur nga BE-ja. Kjo është e natyrshme, sepse ne jemi në fazën fillestare të negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse.

Përkundër kësaj, sapo ta mbaroj pushimin, të hënën do të takojë Ekipin Negociator dhe do ua japë edhe në formë të shkruar informacionet e përgjithshme për periudhën e deritashme të bisedimeve. Në këtë proces historik, ne do të punojmë së bashku dhe në koordinim me njëri-tjetrin”, ka thënë presidenti Thaçi”, pati deklaruar Thaçi.