Presidenti ukrainas i kërkon Shqipërisë t’i kufizojë turistët rusë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që i ka dhënë vendit të tij në luftën kundër ushtrisë ruse.

Shqipëria u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, ka mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë dhe ka votuar për rezolutën e Kombeve të Bashkuara që dënon pushtimin rus të Ukrainës.

Duke iu drejtuar të martën Kuvendit të Shqipërisë, Zelensky tha se është mirënjohës ndaj këtij vendi, që nuk ka hezituar ta mbështesë.

Ai tha se ky qëndrim i Shqipërisë ia kujton humanisten shqiptare, Nënën Terezë.

“Ajo na mësoi se përpjekjet e mira të përditshme mund ta mposhtin të keqën. Unë besoj që së bashku me të gjithë evropianët, ne do të mund ta ndalim këtë luftë”, tha Zelensky.

Ai i bëri thirrje Shqipërisë që të kufizojë ardhjen e turistëve rusë, duke thënë se bashkë me ta, nuk dihet se kush tjetër mund të vijë.

“Kërkoj t’i kufizoni ardhjet e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dimë se kush vjen te ju. Ndoshta vrasësit që kanë qenë në Buça apo xhelatët e Mariupolit”, tha Zelensky, duke iu referuar dy qyteteve të Ukrainës, ku forcat ruse dyshohet se kanë kryer krime të rënda.