Të fundit

Presheva ende nuk ka pranuar 2 milionshin e qeverisë, Arifi: shkaktar është ministri Aliu 

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ende nuk kanë pranuar ndihmën prej dy milionë eurove nga Qeveria e Kosovës. Sipas kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, njëra ndër arsyet për mos transferimin e këtyre mjeteve është edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu. Në anën tjetër, rreth datës për alokimin e mjeteve, nuk kanë dhënë detaje ekzekutivi.

Lugina e Preshevës, ende nuk ka pranuar ndihmën prej dy milionë eurove nga Qeveria e Kosovës.

E mos alokimin e këtyre mjeteve nga ekzekutivi, si shqetësues po e sheh kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.

Arifi thotë se njëra ndër arsyet e mos transferimit të këtyre të hollave është edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Sipas tij, edhe qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer me këtë sistem të ndihmës për qytetarët e Luginës së Preshevës.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Valon Arifi, thotë se kjo vonesë nuk po bëhet për inate personale. Sipas Arifit këto mjete do të ndahen pas formimit të komisionit nga ana e ekzekutivit.

Tëvë1 ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës, për afatin e kur këto mjete do të alokohen mirëpo, të njëjtit nuk kanë dhënë detaje për këtë çështje.

Poashtu edhe për akuzat e kryetarit Arifi është kontaktuar ministri Liburn Aliu, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

Kronika e realizuar nga gazetarja Fetije Kamberi