Petkoviq: Sveçla e kërcënoi Vuçiqin por ai nuk u frikësohet “mangupëve”
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i ka quajtur shoviniste deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se po tentohet “t’i merret Kosova, porse Serbia nuk do të lejojë t’i merret asnjë copë tokë”.
Sveçla tha se mund “të premtojë” ditë të vështira për të meqë në Kosovë stabiliteti veçse po fuqizohet.
Për këto deklarata ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili u mundua t’i paraqesë si kërcënime direkte ndaj shefit të tij.
“Ky është kërcënimi më i drejtpërdrejtë që i është drejtuar presidentit Vuçiq deri më tani. Xhelal Sveçla e kuptuam mire që doni të provokoni konflikte ne fund të tetorit kundër serbëve”.
“Por mos kini frikë, Aleksandar Vuçiq e di që mangupat janë të guximshëm vetëm kur kërcënojnë para kamerave. Dialog, jo konflikte!”.
Sveçla foli për shtrirje të rendit dhe ligjit në veri të vendit derisa po komentonte deklaratat e Vuçiqit për Kosovën.
“Sa i takon aspiratave shoviniste të Vuciqit në raport me Kosovë, unë mund t’i premtoj ditë të vështirë, javë të vështira, muaj të vështira për të. Sa i përket stabilitetit të Kosovës, ai stabilitet do të fuqizohet. Rendi dhe ligji veçse do të mbizotërojë atje edhe më shumë. Dhe shumë shpejt ne do t’i ofrojmë shanset që secili qytetar i asaj zone të jetojë i qetë”, tha ai në Syri TV.