Shqipëri

Për herë të parë Berisha zbulon këshillat që i ka dhënë Bashës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë disa këshilla për pasardhësin e tij në krye të PD-së, Lulzim Basha. Në një intervistë në emisionin “Tempora” ai tha se zgjerimi i PD-së është kusht kryesor për ardhjen në pushtet.

“Pse unë mbijetova? Për një fakt të thjeshtë: nuk u dorëzova kurrë. Kjo është e vërteta. Mbrojta me çdo çmim ato pak parime që unë besoj.

Së dyti, duke mos dashur të krahasoj periudhat, gjykoj se PD duhet të bëjë një përpjekje shumë më të madhe në drejtim të një zgjerimi jo vetëm të mbështetjes së saj, por të një bashkëveprimi me të gjitha shtresat të cilat e shohin se në Shqipëri është instaluar kakistokracia.

Së treti, PD duhet të bëjë një përpjekje të madhe për tu shtrirë drejt emigracionit dhe diasporës, në angazhimin e softit dhe mendjes e aftësive të mëdha të shqiptarëve në vende të ndryshme.

Unë e kam biseduar edhe këtë me zotin Basha, dhe unë prapë insistoj në këtë. Sot ka personalitete shumë të shquara në fusha të ndryshme të cilat mund t’i japin një kontribut PD-së. Unë jam për një hapje të madhe të PD-së, por dhe për një vështrim drejt elitës shqiptaro-amerikane, shqiptaro-evropiane” – tha Berisha.