Lajme

PDK: Kurti u dorëzua para Beogradit në veri, zëvendësi i tij e shpalli të ndarë atë pjesë

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Subjekti e ka komentuar edhe video-mesazhin e fundit të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku ai tha se dikush po dëshiron gjakderdhje në veri për të ndarë Kosovën.

“Partia Demokratike e Kosovës dënon deklaratat skandaloze të Kryeministrit të shkarkuar, Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Haki Abazi për situatën në veri të vendit. Kryeministri, duke folur kudo e kurdo për gjakderdhjen përmes një diskursi të frikshëm që ka përzgjedhur, po e rëndon edhe më shumë situatën në ditët më të vështira e të frikshme të shqiptarëve në përballje me pandeminë’’, thuhet në komunikatën e PDK’së.

‘’Ai del me paralajmërime për konflikt, pak ditë pas kërcënimit për vëllavrasje nga bashkpartiaku i tij, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. Në një video-mesazh për konflikt me fjalët do “të derdhet gjaku jonë “ dhe duke thënë ruani “gjakftohtësinë e mos bini në kurthin e tyre “ Kryeministri po përpiqet që t’i frikësoj qytetarët që të heshtin përpara papërgjegjshmërisë e paaftësisë dhe dështimit të tij për t’i ndal qindra zyrtarë serbë të futur në veri gjatë ditëve të fundit.’’, thuhet në komunikatë.

Tutje PDK thotë se Kurti është dorëzuar para Beogradit dhe hedhin akuza ndaj zëvendëskryeministrit në detyrë, Haki Abazi.

“Jo vetëm kaq, ai u dorëzua edhe para vendimit të Serbisë për të vendosur orën policore në katër komunat e veriut si dhe karantinimin nga Beogradi të dy komunave të veriut. Deklarata e kryeministrit të shkarkuar Kurti për situatë nën kontroll në veri të vendit u tradhëtua nga zëvendësi i tij, Haki Abazi, i cili e shpalli veriun të ndarë nga Kosova. Kjo është deklarata e parë dhe do të mbetet e vetme e një zyrtari të lartë të qeverisë së Kosovës që deklaron se veriu është i ndarë.”

‘’PDK konsideron se qeveria e shkarkuar po vazhdon të tallet me qytetarët, dhe veçmas me banorët shqiptarë të ngujuar e të frikësuar në veri të vendit. PDK do të angazhohet me tërë kapacitetin e saj politik e institucional për ta ndalë degradimin e mëtejshëm të kësaj qeverie në ikje që po shkon në dëm të shtetit dhe, në veçanti, të pjesës veriore të Republikës së Kosovës.’’