Maqedoni

Pas çantave me euro, del një tjetër video nga skandali i korrupsionit në Maqedoni

Sot është publikuar një tjetër video nga gazeta italiane “La Verita” lidhur me skandalin e korrupsionit. Në këtë material dëgjohet biseda mes Bojan Jovanovski – Boki13 dhe biznesmenit të dyshuar Orce Kamçev, të cilët bisedojnë për kushtet se si do të jetë i liruar. Në njërën nga bisedat telefonike, dëgjohet edhe zëri i kryeprokurores speciale, Katica Janeva.

Video

https://youtu.be/GirZhiY1WbU?t=2

Gazetari ka paralajmëruar se do të publikojë edhe detaje të tjera lidhur me skandalin “Reket”, se si biznesmenit të njohur Orce Kamçev iu morën 1.5 milion euro për t’ia mbyllur dosjen hetimore, ku ai ishte i akuzuari kryesor në rastin “Perandoria” që hetohej nga Prokuroria Speciale.

Prokurorja e dorëhequr Speciale, Katica Janeva ka pranuar se është zëri i saj, por se është keqpërdorur. “E dëgjova regjistrimin, të publikuar në portale lidhur me rastin “Reket”. Jam e shokuar se si veprimet e mija si Prokurore speciale ndërlidhen dhe sillen në korelacion me rastin “Reket”, theksoi Janeva në faqen zyrtare të Prokurorisë Speciale.

Ajo ka shtuar se si prokurore ka pasur dhe ka detyrim që të kontaktojë me të gjithë të dyshuarit si dhe me persona të tjerë lidhur me procedurat penale që udhëhiqen nga kjo prokurori publike dhe nga ato të arrijë të nxjerrë sa më shumë informacione.

“Kam biseduar për rritjen e shkallës së bashkëpunimit me të dyshuarit, për të zbuluar dëshmi të reja në favor të hetimeve, por në asnjë rast nuk kam tregtuar për ndonjë ndikim, nuk kam keqpërdorur funksionin tim dhe nuk kam vepruar në kundërshtim me ligjin”, nënvizon Katica Janeva. Ajo u bëri thirrje organeve hetimore që sa më shpejt të kryejnë hetime dhe të zbulojnë rastin “Reket”.

Video

https://youtu.be/8Kg7DcyD9Zc