Nga e enjtja, 16 orë lëvizje pa kufizime, hapen edhe objektet fetare
Faza e tretë e lehtësimit të masave do të nisë më herët se që ishte menduar.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë në një konferencë për media, se nga e enjtja qytetarët do të mund të lëvizin pa asnjë kufizim për 16 orë në ditë, nga 5:00 deri më 21:00.
Po ashtu, ai ka thënë se nga e enjtja do të hapen edhe objektet fetare, si xhamitë e kishat.
“Ky është një sukses i përbashkët”, tha ai në konferencë, ku ishin të pranishëm edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, kreu i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe drejtoresha e Klinikës Infektive të QKUK-së, Lindita Ajazaj Berisha.
Faza e tretë ishte planifikuar të niste më 1 qershor, por tash me vendimin e ri do të nisë më 28 maj. Kjo, për shkak të situatës së përmirësuar në terren.
Deri më tash, në Kosovë janë shënuar 1032 raste me COVID-19, janë shëruar 789 persona, ndërkohë kanë vdekur 29 persona.