Lajme

Nenad Çanak: Në Nish gjendet baza spiunuese e Rusisë

Fakti se gjatë vizitës së Vladimir Putinit në Beograd nuk u bisedua për të ashtuquajturën Qendër humanitare ruso-serbe në Nish, me siguri është pasojë e asaj se Rusia e ka ditur se Beogradi zyrtar nuk e ka ndryshuar qëndrimin e vet lidhur me dhënien e statusit diplomatik për personelin e punësuar aty.

Kështu ka vlerësuar për gazetën “danas” Nenad Çanak, kryetar i Lidhjes së socialdemokratëve të Vojvodinës.

“Është e qartë se nuk është fjala për qendër humanitare, por për bazën spiunuese të Federatës Ruse të kamufluar. LSV që nga fillimi i punës të së ashtuquajturës Qendër humanitare ruso-serbe në Nish ka tërhequr vërejtjen për pasojat e dëmshme për sigurinë e Serbisë por edhe për gjithë rajonin. Ne kemi kërkuar që kjo qendër të mbyllet sepse Serbinë e vë para rreziqeve të shumta. Është mirë megjithatë që personeli i saj s’e ka marrë statusin diplomatik”, ka vlerësuar Çanak.

“Federata e Rusisë nuk pushon së vepruari në Maqedoni, nuk pushon në Mal të Zi dhe është krejtësisht e qartë që nuk pushon as në Serbi. Moska vazhdon të bëjë presion në Serbinë e cila duhet ta ruajë pavarësinë nga ajo”, ka thënë ndër të tjera ai.