Uncategorized

Mustafa: Disa njerëz të LDK’së i janë gëzuar fitores së Vetëvendosjes

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, po thotë se janë gabim ata që mendojnë se mund ta përmbysin partinë e tij, pas humbjes në Podujevë. Por, thotë se brenda partisë së tij ka njerëz që i janë gëzuar humbjes në Llap. Mustafa deklaron se LDK është e gatshme qysh nesër t’u dalë përpara qytetarëve për të kërkuar votën.

Pas 20 vjetësh qeverisje në Komunën e Podujevës, LDK të dielën ka humbur zgjedhjet nga ish-anëtari i saj, tani pjesë e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi.

Por kjo humbje, për kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa, nuk është përmbysje e partisë së tij. Madje, ai thotë se kur Agim Veliu dha dorëheqje nga Podujeva për t’u bërë ministër, ishin të vetëdijshëm se vazhdimin e mandatit të tij mund ta marrë ndonjë parti tjetër.

“Ata që mendojnë se do ta kthejmë përmbys LDK-në, pasi që në Podujevë ka fituar VV për një mbetje të mandatit prej 10 muajsh, e kanë gabim. Kur e kemi tërhequr z. Veliu nga Kryetari i Komunës për ministër, kemi llogaritur se mbetjen e mandatit edhe mund ta merr tjetërkush”, ka deklaruar Mutafa për Gazetën Express.

I pari i LDK’së deklaron se partia e tij e merr humbjen si akt të dekmoracisë, derisa gëzimin e Vetëvendosjes për fitoren në Podujevë e sheh si etje për pushtet.

Zoti Veliu dhe veprimtarët tanë në Podujevë kanë merita për fitoret e parreshtura atje. Edhe mosfitorja kësaj radhe është pjesë e jetës demokratike. Ne jemi më pak të hidhëruar, kurse VV ka rënë në ekstazë nga gëzimi euforik. LDK-së nuk i mbetet hatri nga gëzimi i VV-së. Por kjo flet se LDK humbjen e merr si akt normal të demokracisë, kurse VV e sheh fitoren si etje për pushtet”, ka thënë Mustafa.