Lajme

Morina: Për shëndetin e LDK-së është mirë që sa më shpejt “të çkapet” nga Albini

Me shkarkimin e Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme, LVV-ja e kishte vënë para aktit të kryer LDK-në, konsideron Bajrush Morina.

Sipas tij, ky përbën momentin kur ishte “mbushur kupa” në raportet mes partnerëve të koalicionit, meqë konsideron se ata kishin pasur një përplasje të vazhdueshme dhe në ditët e fundit një përplasje të tensionuar për shkak të presionit amerikan për heqje të plotë të tarifës, shkruan koha.

Morina është analist dhe në masë mbron LDK-në në paraqitje publike. Megjithëkëtë, në disa faza ai ka qenë kritik për zhvillimet e brendshme në parti.

Në një intervistë të shkurtër dhënë “Kohës Ditore”, Morina ka justifikuar veprimet e fundit të LDK-së që rezultuan me rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga LVV-ja, dhe ka thënë se për shëndetin e LDK-së është mirë që “të çkapet” nga Albin Kurti, ndërsa për shëndetin më të mirë të saj është mirë të qëndrojë sa më larg Hashim Thaçit.

Ai ka treguar se çfarë përfaqëson tani LDK-ja dhe ku e çon këtë parti rruga që është duke e ndjekur.