Të fundit

Ministrja Gërvalla sot viziton Luginën e Preshevës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se sot do të fillojë vizitën në Luginën e Preshevës.

Gërvalla ka thënë se ndjehet shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë.

Ajo tutje ka njoftuar edhe mbi takimet që do të zhvillojë atje.

Kujtojmë se ditën e djeshme mediat serbe raportuan se ministres Gërvalla i është ndaluar hyrja në Serbi.

Njoftimi i plotë:

Me një ditë vonesë, pas pak do të filloj vizitën time të parë në Luginën e Preshevës.

Ndihem shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë dhe të flas e të shoh nga afër se si mund të thellojmë bashkëpunimin tonë.

Së bashku me prof. Rexhep Gjergjin jemi nisur drejt Bujanocit, ku do të takohemi fillimisht me kryetarin e kësaj komune, z. Nagip Arifi. Takime do të zhvillojmë edhe me përfaqësues të tjerë institucional në këtë komunë.

Gjatë ditës do të qëndrojmë edhe në Preshevë, ku do të takohemi edhe me kryetaren e komunës, znj. Ardita Sinani. Do të zhvillojmë takime me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe studentë.