Ministri Cakaj nga Tirana porosit: Ruajtja e shumicës shqiptare në Bujanoc detyrë historike
Ministri shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj pas një takimi që ka zhvilluar me dy kryetarët e komunave të rajonit të Drenicës, Bakim Jashari-kryetar i Skenderajit dhe Ramiz Lladrovci-kryetar i Drenasit, , ka porositur domosdoshmërinë e ruajtjes së shumicës shqiptare në Komunën e Bujanocit, në kohën kur krijimi i institucioneve të reja në Bujanoc, është çështje ditësh.
“Theksuam edhe domosdoshmërinë e ruajtjes së shumicës shqiptare në Bujanoc. Kjo e fundit, është edhe detyrë historike edhe nevojë institucionale për shqiptarët e Luginës së Preshevës” – ka porositur mes tjerash Cakaj.
Ai gjashtu ka shkruar se “Sakrifica sublime e familjes Jashari e Lladrovci ndër breza për lirinë e Kosovës duhet të shërbejë si burim frymëzimi për gjithë shqiptarët kudo ndodhen” – ka përfunduar ministri Cakaj.
Postimi i plotë i Cakajt:
Sot pata nderin e rrallë të pres Kryetarin e Skënderajt, Bekim Hamëz Jashari dhe Kryetarin e Drenasit, Ramiz Tushë Lladrovci, në një takim të përzemërt në Tiranë.
Biseduam për punën e tyre shumë të vyer në zemër të Drenicës, drejtësinë e pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e rëndësinë e patjetërsueshme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës e Shqipërisë.
Po ashtu, theksuam edhe domosdoshmërinë e ruajtjes së shumicës shqiptare në Bujanoc. Kjo e fundit, është edhe detyrë historike edhe nevojë institucionale për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sakrifica sublime e familjes Jashari e Lladrovci ndër breza për lirinë e Kosovës duhet të shërbejë si burim frymëzimi për gjithë shqiptarët kudo ndodhen…