LajmeShqipëri

Mijëra banorë të prekur nga tërmeti në Shqipëri kaluan natën nën qiell të hapur

Për shumë banorë të zonës së Durrësit dhe Thumanës nata e kaluar ishte në ankth dhe frikë nga paniku i tërmetit të fuqishëm që goditi në mëngjesin e së martës, ku për pasojë pati shumë viktima, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale në Republikën e Shqipërisë.

Banorët e Durrësit mbrëmë kaluan natën disa në rrugë, në vetura dhe shumë prej tyre në stadiumin e këtij qyteti, e një numër i konsideruar edhe nën qiellin e hapur në fushën e blertë.

Ekipi i KosovaPress-it ka qëndruar në mesin e tyre deri në orët e mëngjesit, pati qytetarë që me vështirësi qëndronin dhe nuk ishin të kënaqur me menaxhimin e situatës. Ndonëse të kundërtën e kanë thënë përfaqësues të Bashkisë së Durrësit.

Sipas Suzana Basha, banore e Durrësit, nata mes 26 e 27 nëntorit ishte e ftohtë dhe e pa qëndrueshme. Ajo edhe pse në moshë deri në orën 2:00 të mëngjesit nuk arrit të siguron çadër.

“Nuk mund të qëndrosh kështu, ftohët. Ne po vdesim. Nuk ka çadra, s’ka vende. Po na thonë me pritë, ka kaluar mesi i natës ne ende pa çadër. Në orën 21:00 kemi ardhur s’kemi gjetur vend. Frika, nuk mund të qëndrojmë në shtëpi”, theksoi Basha.

Edhe Barbara Bratija ishte e trishtuar nga ajo çka ka parë nga pasojat e tërmetit. Bratija shton se është e terrorizuar nga ajo që ndodhi në Durrës.

“Ftohtë, çka të bëjmë, ne kemi pasur terror si gjithë Durrësi, por ka edhe më keq se kanë dalë vajza të reja, të rinj, fëmijë, duke parë xhenaze (kufoma), nëna që qajnë. Jemi të trishtuar. Unë mora ambulancë më dërguan në spital nga ankthi, nga frika, nga paniku dhe nga të gjitha”, deklaroi Bratija.

Ndërsa, Partie Pepa thotë se në vend qëndrimin e përkohshëm në stadiumin “Niko Dovana”, ka pasur një kujdes, me ushqim dhe pije, por sfidë për të dhe shumë të tjerë ka qenë çadra e pa përshtatshme.

“Sonte erdhëm, mbrëmë ishim në rrugë. Po, po ka kujdes, po na ndihmojnë me batanije, me ushqim”, deklaroi ajo.

Ndërkaq drejtues të Bashkisë së Durrësit u lavdëruan se menaxhimi i situatës së krijuar nga tërmeti, ishte i shkëlqyer.