Bota

Mbi 4,000 të arrestuar në protestat në mbështetje së opozitarit, Navalny

Mbi 4,000 vetë u arrestuan në gjithë Rusinë, gjatë protestave në mbështetje të kritikut më në peshë të Kremlinit, Alexei Navalny. Protestat vijnë pas arrestimit të Navalny-t, pas rikthimit të tij nga Gjermania, ku u trajtua pas helmimit me agjent nervor. Policia i cilësoi protestat si të jashtëligjshme, ndërsa Shtetet e Bashkuara dënuan dhunën ndaj protestuesve.

Policia ruse ndërpreu protestat në Moskë dhe vende tjera të Rusisë, ndërsa mbështetësit e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny dolën sërish në rrugë për të kundërshtuar arrestimin e tij, duke sfiduar të ftohtin, dhe duke mos u druajtur nga arrestimet dhe ndjekjet penale nga autoritetet shtetërore.

Bashkëpunëtorët e zotit Navalny bënë thirrje sërish për protesta gjithëkombëtare përpara procesit gjyqësor ndaj tij që pritet të fillojë të martën.

“Dua lirimin e Alexei Navalnyt, dua lirinë e vendit, dua që të kemi një jetë të mirë. Erdha sot këtu, por qendra është tërësisht e bllokuar, është e pamundur të hysh dhe është e zbrazët”, tha Mikhail, një protestues.

“Erdha për herë të parë në një protestë. Jam i lodhur nga keqërdorimi i pushtetit dhe mungesa e ligjit tek autoritetet. Asgjë nuk është qartësuar. Dua qartësi dhe ndryshim. Kjo më bëri që të vij këtu”, thotë Ivan, një protestues tjetër.

“Jam arrestuar nga policia sepse bërtita ‘liri për Navalnin’. Mendoj se Aelexei Navalny u arrestua në mënyrë të paligjshme, prandaj në mënyrë paqësore po kërkoj lirimin e tij”, thotë Andrei Davydpv, protestues.