Lisen Bashkurti për Gent Cakaj: Kryediplomat pa dekret, pa legjitimitet, pa kredenciale
Qysh në krye të herës nuk jam marrë dhe nuk kam ndër mënd të merrem me emrin e të ‘ngarkuarit me punë në krye të diplomacisë së Shqipërisë’. Emri nuk ka rëndësi. Por, lypet të merrem dhe padyshim do merrem edhe në të ardhmen me statusin e paprecent të ‘emërimit’ të tij nga Kryeministri i Shqipërisë. Them nevojitet të merrem dhe duhet të merrem sepse drejtuesi i diplomacisë është një nga postet më të rëndësishme të shtetit. Për shtetet e vogla posti më i lartë diplomatik ka rëndësi akoma më të madhe. Anshtjani thoshte që vëndet vogla kanë nevojë për diplomatë të mëdhenj, për të kompensuar përmes tyre atë që u mungon objektivisht.
Diplomacia dhe sfidat e Shqipërisë
Në momentet historike që po kalon Shqipëria dhe Kosova diplomacia shqiptare është përballë sfidave që kurrë më parë nuk i ka përjetuar. Shqipëria është në një fazë shumë kritike në rrugën drejt integrimit në BE. Dilema për hapjen ose jo të negociatave për antarësim po thellohet gjithnjë e më shumë. Celësi i zgjidhjes së kësaj dileme është kryesisht te realizimi i reformave në vënd. Por peshë të madhe ka edhe diplomacia, si instrumenti i dialogut politiko-diplomatik dhe i promovimit të Shqipërisë tek vëndet antare të BE si dhe tek institucionet e Brukselit.
Për herë të parë diplomacisë shqiptare i duhet të aplikojë një kryqëzim intensiv dhe profesional midis diplomacisë bilaterale dhe asaj multilaterale si dhe midis diplomacisë qeveritare dhe asaj parlamentare. Sic po ecin punët e reformave deri tani dhe sic po katandiset diplomacia shqiptare me anonimat pa dekret, pa legjitimitet dhe pa kredenciale në krye, Shqipëria ka gjasa që më shumë t’i largohet sesa t’i afrohet objektivit për hapjen e negociatave për antarësim me BE.
Shqipëria është në proces përballje shumë serioze për zgjidhjen e një kompleksi problemesh me fqinjin e Jugut, Greqinë. Procesi i negociatave i nisur pak vite më parë është karakterizuar nga mungesa e gjithëpërfshirjes, transparencës, informimit dhe komunikimit politik, publik dhe mediatik. E në mes të kësaj mjegullnaje plot paqartësi dhe rrezikshmëri dy shefat e diplomacisë të të dy vëndeve, Greqisë dhe Shqipërisë, papritur lëshuan postet e tyre. Negociatat u ndërprenë.
Bazuar në historinë, teorinë dhe praktikën e negociatave është më mirë të mos i nisësh fare ato sesa t’i ndërpresësh në mes të rrugës. Ndërprerja e negociatave e thyen besimin ndërmjet palëve, trazon politikën dhe trondit opinionin publik. Besimi i thyer është shumë vështirë për tu ringjizur sërish. Përballë kësaj situate dy kryeministrat, Grek dhe Shqiptar veshën qyrkun e diplomatëve për të cuar përpara procesin e lënë përgjysëm. Po ndërkohë që Kryeministri Grek po e mban peshën e qyrkut diplomatik, Kryeministri Shqiptarë akoma pa u tharë dekreti i Presidentit e ‘delegoi’ postin e kryediplomatit tek një anonimat pa dekret, pa legjitimitet dhe pa kredenciale.