Lajme

Lajm i fundit : Prishtina në karantinë

Prishtina është shpallur zonë e karantinuar.

MSH-ja përmes një njoftimi për media, thotë se nga 94 mostra të testuara sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, për SARS-Cov-2, 20 prej tyre kanë rezultuar pozitive në Prishtinë. Rastet e tjera nuk janë sqaruar se ku kanë rezultuar pozitive.

“Pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të 27 rasteve të reja pozitive sot në Kosovë me SARS-Cov-2, prej të cilave 20 në Prishtinë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë”, thuhet në njoftim.

Me këtë vendim, ndalohen hyrje dhe daljet në komunën e Prishtinës.

Edhe kryetari Shpend Ahmeti, ka njoftuar për këtë.

“Ditë jo e mirë për Prishtinën. Nga 25 kontaktet e personit të infektuar ditë më herët, 20 janë testuar pozitiv sot. Lajmi i mirë është që të gjitha janë kontakte të personit të infektuar. Lajmi i keq është se tani duhet të shtojmë masat resktriktive në Prishtinë”, ka shkruar ai.

Në njoftimin për media theksohet se obligohen të gjithë qytetarët që të respektojnë masat sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Këtë vendim, MSh e ndërmerr me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë Covid -19 në Republikën e Kosovës.

“Një vendim të ngjashëm, sot Ministri Vitia për shpalljen zonë karantinë e ka marrë edhe për Komunën e Ferizajt, pasi që banorët e kësaj komune dyshohet se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me personin e infektuar me Koronavirusin Covid-19”, thuhet në njoftim.

Rastet e tjera përveç Prishtinës IKSHPK do të njoftoj sonte pas testimit të gjitha mostrave të sotme.

Nesër, me datë 12 prill 2020, do të mbahet një konferencë të jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren për përhapjen e mëtejme të Covid-19 në Kosovë.