Lajme

Kurti: “Serbia po refuzon zbatimin sepse përmbajtja është njohje de facto”

Kryeministri Albin Kurti nga Greqia ka bërë thirrje për zbatim të Marrëveshjeve të sivjetme me Serbinë. Ai ka thënë se Kosova është e gatshme për zbatim të Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, por ka akuzuar Serbinë se po refuzon zbatimin “sepse përmbajtja është njohje de facto”.

Në Greqi nga paneli “Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?”, organizuar nga “The Economist”, Kurti ka alarmuar për agresionin e Serbisë dhe kërcënimet e vazhdueshme. Teksa ka kërkuar koalicion të shteteve demokratike kundër autokracisë, Kurti ka thënë se në rastin e Kosovës dhe Serbisë duhet të implementohen marrëveshjet e arritura sivjet.

“Jam ofruar për ta nënshkruar në Bruksel dhe më pas edhe në Ohër, por Beogradi nuk dëshiron sepse përmbajtja është njohja de facto”, ka thënë Kurti duke shtuar se kjo marrëveshje është e modeluar nga “dy Gjermanive”.

“Ajo që na mungon është zbatimi. Në historinë e marrëveshjeve, ne kemi mbi 40 marrëveshje, por ngecim në zbatim. Janë sikur dy planetë të ndryshëm. Duhet t’i sjellim në të njëjtin kontinent, në Evropë. T’i zbatojmë shpejt ato që jemi pajtuar dhe ende jam i gatshëm të nënshkruaj çka do që them po. S’ishte rasti i njëjtë me palën tjetër dhe më pas ndodhën vështirësitë”, ka thënë Kurti në panel.

Kurti ka thënë se shtetet e Ballkanit që duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian, duhet të ndihmohen nga BE-ja për bashkim më të shpejtë. Ai ka thënë se BE-ja duhet të reformohet brenda dhe të njëjtën kohë të zgjerohet. Pikë tjetër me rëndësi për sigurinë, ai ka vlerësuar forcimin e urës transatlantike.