Lajme

Kurti: Pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara në dialogun me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se pesë emisarët që takoi sot i kanë ofruar planin e tyre të ri për ecjen përpara për dialogun me Serbinë, shkruan Reporteri.net.

Në njoftimin e Qeverisë, citohet që kryeministrin Kurti t’i ketë thënë pesë emisarëve se është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re në dialogun me Serbinë dhe se diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.

SIç thuhet tutje në njoftim, Kurti theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet të ketë thënë Kurti.

Njoftimi i plotë i Qeverisë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.