Lajme

Kurti: Për ta ndriçuar krimin ndaj Deharit, duhet hetim i ri i pavarur e profesional

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, thotë se ekspertët e mjekësisë ligjore nga Instituti i Lozanës në Zvicër e kanë përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes së Astrit Deharit.

“Raporti i tyre është shkencor dhe i hollësishëm për nga metoda dhe të gjeturat. Ata kanë konstatuar përfshirjen e personi/ave të tretë”, shkruan Kurti në Facebook.

“Nevojitet hetim i ri, i pavarur e profesional, për ta ndriçuar plotësisht këtë krim. Jo vetëm mbi faktet e provat materiale. Sepse, duhen hetuar e shqyrtuar rrethanat fizike dhe të tjera të krimit, si dhe procesi i deritanishëm hetues. Sepse, duhen hetuar njerëzit përgjegjës, çka kanë bërë, si e kanë bërë dhe çka nuk kanë bërë”, ka shkruar tutje Kurti, kandidati më i votuar për kryeministër të Kosovës nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Deharit, thotë Kurti, i është shtuar padrejtësia e shtetit të Kosovës.

“Krimit mbi Astritin në duar të shtetit para tri vjetëve i është shtuar padrejtësia e shtetit tash e tri vjet. Drejtësia për Astritin nuk ka alternativë. Është në pyetje asgjë më pak se e drejta për jetë e qytetarit të Republikës”, ka përfunduar Kurti.