Lajme

Kurti: Nëse s’do ishte NATO këtu, Serbia do të përpiqej ta pushtonte Kosovën përsëri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku pas një përleshjeje të armatosur me një grup serbësh, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagos zyrtari policor, Alban Rashiti.

Në një intervistë për gazetën holandeze ‘Trouw’, Kurti ka thënë se prapa sulmit qëndron shteti serb, teksa shtoi se qysh në muajin qershor të vitit 2023, kishin paralajmëruar partnerët ndërkombëtarë për mundësi të ndonjë sulmi të tillë.

“Pas atyre sulmeve kriminale, ne sekuestruam më shumë se 5 milionë euro pajisje të rënda ushtarake dhe municione. Sigurisht, është e pamundur që qytetarët e thjeshtë të mbajnë përgjegjësi për këtë. Ky ishte shteti i Serbisë, duke përdorur një grup paraushtarak të udhëhequr nga një kriminel. (Milan) Radoiçiqin e njohim prej kohësh këtu, ai ndër të tjera është i përfshirë në kërcënime, kontrabandë dhe zhvatje. Organizatat kriminale përdorin pozicionin politik të Serbisë si mbulesë për krimet e tyre. Në qershor ne paralajmëruam partnerët tanë perëndimorë se diçka po përgatitej. Në fund të atij muaji ne caktuam dy organizata si terroriste. Ne u kritikuam për këtë, por në shtator doli se anëtarët e atyre grupeve ishin pjesë e paraushtarakëve në Banjska”, ka thënë ai.

Sipas tij, sikur forcat e NATO-s nuk do ishin të pranishme, Serbia me siguri ndoshta do të përpiqej të hynte në luftë për pushtimin e Kosovës.

“Duke ushqyer lidhjet e saj të forta me Rusinë, Serbia beson se mund të shpëtojë nga plagosja e ushtarëve të KFOR-it dhe policisë së Kosovës. Ashtu si Rusia, edhe Serbia e urren NATO-n. Në sytë e Kremlinit, Kosova nuk është gjë tjetër veçse një projekt i NATO-s, ndërsa unë e shoh si sukses të luftës së një populli për liri. Kremlini nuk sheh njerëz, ai sheh vetëm liderë dhe territor. Nëse NATO nuk do të ishte këtu, jam i sigurt se Serbia do të përpiqej të pushtonte përsëri. Policia ushtarake serbe ka 48 baza ushtarake rreth kufirit me Kosovën, prej të cilave 28 përfshijnë ushtarë. Prej aty nganjëherë hyjnë për pak kohë në vendin tonë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Por Kurti shprehet optimist për një të ardhme paqësore, duke thënë se në rajon nuk ekziston më ai lloj nacionalizmi mes njerëzve, ‘që nxit makinën e luftës së diktatorëve’.

“Ajo që më bën optimist për të ardhmen është se në rajonin tonë nuk ekziston më ai lloj nacionalizmi mes njerëzve në rajonin tonë që nxit makinën e luftës së diktatorëve. Ata tashmë preferojnë të vetmen gjë që u ka mbetur, që janë bandat kriminale. Tridhjetë vjet më parë, figura si Radoiçiqi do t’u kishin shpërndarë kallashnikovët qytetarëve të thjeshtë. Ata nuk janë më të interesuar për këtë, dhe kjo zvogëlon fuqinë e këtyre lloj kriminelësh”, është shprehur shefi i Qeverisë.