Shqipëri

Kryemadhi: Pazarxhiu Rama, për turpin e tij, hodhi në treg ndarjen e Kosovës

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në Shqipëri, Monika Kryemadhi, nga Konventa Kombëtare e partisë, tha se për turpin e tyre, pushtetarët e sotëm shqiptarë hodhën në treg ndarjen e Kosovës.

Kryemadhi u shpreh se pushtetarët e sotëm janë pazarxhinj të trojeve shqiptare.

“Po ju drejtohem të huajve. Dëmin e parë të këtij regjimi kriminalo-oligark që ka instaluar Edi Rama në Shqipëri desh e pësuan vëllezërit tanë në Kosovë. Pikërisht prej këtij regjimi që në themel të tij ka pazare dhe jo transparencën. Pikërisht se formatin e pazareve të oligarkisë dhe krimit e ka të shndërruar në skemë dhe format politik dhe diplomatik. Pikërisht se trëndafilin e Partisë Socialiste e ka zëvendësuar me oturakun e qarqeve antishqiptare. Pikërisht sepse dhe në politikë dhe në diplomaci flasin me gjuhën e PPP-ve, guxuan deri aty sa të hedhin në treg për turpin e tyre dhe ndarjen e Kosovës. Aq sa u desh një Samit i madh evropian për t’i thënë një JO të madhe pazarxhinjve të trojeve shqiptare. Sa më shpejt të shembet ky regjim, aq më shpejt Shqipëria do të kthehet në shtëpinë e shqiptarëve”, deklaroi Kryemadhi, raporton Koha.net.

“Edhe Kosovës dhe vëllezërve tanë do t’u largohen retë e zeza që u rrinë mbi kokë prej autokratëve dhe atyre që i konsiderojnë shqiptarët si tregun e gjësë së gjallë. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh kreu i LSI-së.

Më tej, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, tha se për faj të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, edhe Kosova mbeti pa viza.

“Të gjithë e pamë që falë këtij Kryeministri dhe këtij regjimi ne humbëm sërish shansin për hapjen e negociatave. Dhe jo vetëm kaq, por rrezikojmë dhe rikthimin e vizave për shqiptarët. Madje sjellja e këtij Kryeministri dhe kësaj qeverisje mori në qafë dhe vëllezërit tanë kosovarë. Asaj fatkeqësisht, Kosovës, iu dhanë sinjale të qarta se liberalizimi i vizave po i vonohet për shkak kriminelëve të ‘bekuar’ dhe të inspiruar nga Tirana”, theksoi Kryemadhi.

Ajo tha se Shqipëria ua ka caktuar atyre një detyrë, “shkurt dhe shqip, të mbrojmë demokracinë, nuk kthemë më pas”, duke potencuar se protestat opozitare do të vijojnë derisa, siç u shpreh ajo, “sulltani i krimit të bindet se në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme për shqiptarët”.

“Koha e tij dhe e etërve të tij ka mbaruar në Shqipëri. Në fakt, një miku jonë, Dritëro Agolli, ka shkruajtur ‘Vagabondët’, ndaj edhe ne do të dimë si do sillemi me këta vagabondë të demokracisë që rrahin e shtypin jetën e shqiptarëve. Do i përgjigjemi me të gjitha mënyrat, nuk do ndalemi në asnjë moment. Krahas shporrjes së vagabondëve duhet të mendojmë themelet për një Shqipëri ndryshe, ku shteti të jetë shërbëtor në këmbët e tyre”, tha Kryemadhi.