KROACIA KRAH KOSOVËS, JEP MBËSHTETJE TË FUQISHME PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, me ç’rast diskutuan për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e integrimeve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Kroacia është përkrahëse e fuqishme e Kosovës, në veçanti kjo përkrahje është e rëndësishme në procesin integrues, marrja e përvojave të këtij procesi si dhe fuqizimi i bashkëpunimit për realizimin e Agjendës Evropiane të Reformave”, potencoi Hoxha, duke shtuar se edhe më tej pret përkrahje edhe në komisione ku Kroacia është e pranishme, duke promovuar të arriturat dhe duke i qëndruar krah Kosovës në procesin integrues, transmeton AktivPress.
Ambasadorja Kapitanoviq ka theksuar se Kroacia do të qëndrojë krah Kosovës në të gjitha proceset integruese, duke i kontribuar mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, fuqizimit të paqes dhe mirëkuptimit në rajon dhe më gjerë dhe shtoi se Kosova do ta ketë përkrahjen e Kroacisë për liberalizim.