Kosove: Veseli dorëzon kallëzim penal për përmendjen e emrit të tij në aferën e fajdeve
Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka njoftuar se ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale pasi emri i tij u përmend në aferën e fajdeve.
Ai ka thënë se do t’i shkojë deri në fund qartësimit të rastit.
Veseli: Nëse del se jam i përfshirë në videon ku më përmendet emri, jap dorëheqje
Ka shtuar se kërkon sjelljen para përgjegjësisë penale për të gjithë të përfshirët.
“Sot kam deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të keqpërdorimit të emrit tim nga një grup kriminal. Unë do t’i shkoj deri në fund qartësimit të këtij rasti dhe sjelljes para përgjegjësisë penale për të gjithë të përfshirët, ata që e kanë bërë krimin dhe ata që e kanë fshehur krimin për gjashtë vjet”, ka shkruar ai në Facebook.
Të hënën ishin arrestuar pesë persona nën akuzën për mashtrim e fajde. Në videot e publikuara ekskluzivisht nga Koha u dëgjuan disa persona që thonë se Veseli ka marrë 200 mijë euro.