Konfirmohen dyshimet: Në Infektivë nuk pati shtypje të mjaftueshme të oksigjenit në intensivë dhe reparte
Në Klinikën Infektive nuk ka pasur shtypje të mjaftueshme në sistemin e oksigjenit. Ky është konstatimi i kompanisë “Ego Elsa” e cila ka kontratë me QKUK-në për mirëmbajtjen e sistemit të oksigjenit
Më datën 11 korrik, 6 ditë pas vdekjes së dyshimtë të katër pacientëve në Klinikën Infektive, është bërë një vlerësim i nivelit të oksigjenit në njësinë intensive dhe repartet E dhe F të kësaj klinike të cilat furnizohen nga i njëjti rrjet, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka siguruar një dokument të shkëmbimit të email-ave ndërmjet kompanisë “Ego Elsa” dhe zyrtarëve të shërbimeve teknike të QKUK-së. Kjo kompani ka kontratë me QKUK-në nga dhjetori i vitit të kaluar për mirëmbajtjen dhe servisimin e cisternave dhe rrjetit të gypave të oksigjenit në të gjitha klinikat.
Në këtë dokument kompania njofton zyrtarët e QKUK-së se pas vlerësimit të nivelit të oksigjenit më datën 11 korrik, është konstatuar se intensiva dhe repartet E dhe F të cilat furnizohen nga i njëjti gyp, nuk kanë nivel të mjaftueshëm të shtypjes. Në dokument thuhet se sistemi i oksigjenit mund të furnizojë normalisht vetëm tre pacientë në respiratorë, ndërsa në reparte nevojiten floumetra.
Zyrtarët në këtë shkëmbim të email-ave i kërkojnë kompanisë “Ego Elsa” të jap një mendim për ndonjë alternativë për furnizimin normal të pacientëve me oksigjen. Kompania ka kthyer përgjigje se mund të trajtohen 6 pacientë në respiratorë në intensivë, por me kusht që në reparte të mos ngarkohet sistemi i furnizimit me kapacitete maksimale.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga QKUK dhe kompania për këtë inspektim që është bërë më datën 11 korrik, 6 ditë pas ngjarjes tragjike ku ndërruan jetë 4 pacientë në Infektivë, por asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.
Gazeta ka insistuar të dijë pse nuk është bërë një vlerësim i tillë edhe para datës 5 korrik, çfarë është duke bërë menaxhmenti i QKUK-së për ta rregulluar këtë problem, si dhe nëse do të vlerësohet niveli i oksigjenit edhe në njësi të tjera duke pas parasyshë se rënie të nivelit të oksigjenit ka pas edhe në Mjekësinë Sportive.
Kujtojmë se QKUK është duke i larguar pacientët nga Mjekësia Sportive të cilët po transferohen në Mjekimin Intensiv Qendror. Gazeta jozyrtarisht ka mësuar se një gjë e tillë është bërë pikërisht për shkak të nivelit të oksigjenit, pasi sistemi nuk ka mundur ta përballojë ngarkesën e madhe me pacientët e sëmurë me Covid-19.
Kujtojmë se më 5 korrik kanë ndërruar jetë katër pacientë në Klinikën Infektive. Dyshimet e para janë lidhur me rënien e nivelit të oksigjenit në intensivë ku po trajtoheshin pacientët. Stafi kujdestar në natën kritike kishte ftuar Policinë e Kosovës për të hetuar rastin pas dyshimeve pasi pacientët kishin vdekur në të njëjtën kohë. Rasti po hetohet edhe nga prokuroria e cila pati urdhëruar obduksionin për pacientët e vdekur, por deri më tani nuk ka asnjë rezultat. /Gazeta Shneta/
“Pas kërkesës suaj për të bërë një kontrollë të kapaciteteve momentale në Klinikën Infektive të rampave kontrolluese deri tek outletet e sistemit të gazrave medicinale, ne japim një mendim në bazë të matjeve mekanike që kapaciteti i sistemit të furnizimit në Njësinë e Intensivës së bashku me repartin E dhe F, të cilat janë të lidhura në të njëjtën rampe kontrolluese për momentin furnizon normalisht me oksigjen 3 pacientë në Mjekimin Intensiv me respiratorë ndërsa reparti E dhe F me floumetra”, thuhet në këtë dokument.
Floumetri është një instrument i cili mundëson rregullimin dhe menaxhimin e nivelit të oksigjenit tek pacientët në reparte.