Lajme

Komisioni i Venecias i përgjigjet kërkesës së Kurtit

Komisioni i Venecias ka kërkuar që kryeministri në detyrë të Kosovës, Albin Kurti të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për formim të qeverisë së re.

“Pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme deri më 29 maj, duke e pezulluar veprimin e Dekretit të Presidentit, dhe meqë Gjykata po e trajton këtë çështje, Komisioni ka vlerësuar që të respektojë vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi veçse ka vepruar.

Ne e mirëpresim sugjerimin e Komisionit për të respektuar e pritur shqyrtimin e kërkesës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas trajtimit nëse shihet nevoja për sqarime shtesë dhe ndihmë për opinion nga Komisioni, do të ndërmarrim hapat e nevojshëm”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së Kryeminsitrit.

Për herë të parë Kosova i dërgoi kërkesë për opinion Komisioni tëVenecias, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre.

Më 30 prill, presidenti Thaçi dekretoi kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë vendim anti-kushtetues.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese në Kosovë vendosi në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit. /opinion.al