Këshilli Kombëtar Shqiptar priten në takim drejtorët e shkollave shqipe në Luginë të Preshevës
Gjatë ditës së sotme në Këshillin Kombëtar Shqiptar, zv/kryetari i KKSH Enver Mehmeti dhe kryetarja e Komisionit për Arsim në kuadër të këtij institucioni priten në takim drejtorët e shkollave shqipe në Luginë të Preshevës.
Temë e diskutimit në këtë mbledhje ishte propozimet për organizimin e punës edukativo-arsimore në shkollat fillore në kohën e pandemisë Covid-19.
Të gjithë drejtorët u pajtuan rreth një qasje më fleksibile gjatë kësaj kohe, duke qenë të gatshëm për organizimin e mësimit si brenda ashtu jashtë shkollave gjegjësisht rreth mësimit në distancë.
Vlen të theksohet se Këshilli Kombëtar Shqiptar së bashku me drejtorët dhe mësimdhënësit e shkollave shqipe në Luginë gjatë periudhës mars-maj(gjendjes së jashtëzakonshme) të këtij viti ka regjistruar 324 njësi mësimore, të cilat janë transmetuar në televizionet lokale (RTV Aldi, RTV Spektri, Radio Televisioni i Preshevës dhe ai i Bujanocit).
Gjithashtu drejtorët e shkollave shqipe u njoftuan se janë kryer të gjitha procedurat, dhe janë aprovuar tekstet mësimore nga Shqipëria, të cilat do jenë në duart e nxënësve shqiptarë në Luginë që nga fillimi i këtij viti shkollor.
Shërbimi për informim i KKSH