Lajme

Kelmendi: Kurti për Fitër Bajram e ndau Kosovën nga Shqipëria!

Kryetari i partisë Fjala Gëzim Kelmendi edhe në ditën e festës së Fitër Bajramit ka hedhur akuza për kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, përcjell Ministria Lajmeve.

Sipas Kelmendit është kryeministri Kurti shkaktari kryesorë i cili ndau shqiptarët nga Kosova edhr Shqipëria që mos të festojnë së bashku festën e Fitër Bajramit.

“Ky kryeministër bëri ndarjen më të madhe mes shqiptarëve pas asaj të vitit 1912.”- ka shkruar Kelmendi.

Shkrimi i plotë :

Urime Fitër Bajrami!

Me 28 Nëntor 1912 e ndanë Shqipërinë nga Kosova!
Me 24 Maj 2020 e ndanë Kosovën nga Shqipëria!

28 Nëntori i vitit 1912 është dita më e gëzuar e popullit shqiptar. Atë ditë Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur.
Por kësaj ngjarje nuk arriti t’i bashkohej Kosova.
Burri i madh, patrioti dhe komandanti Isa Boletini nuk arriti me kohë në Vlorë.
E kishin penguar armiqtë e atëhershëm serbo-malazez dhe greko-bullgar.
Kështu që përfundimisht forcat e atëhershme armike serbo-malazeze dhe greko-bullgare arritën ta ndajnë Shqipërinë nga Kosova.

Sot me 24 Maj në ditën e Fitër Bajramit, Kosovën e ndanë nga Shqipëria.
Shqipëria lejon faljen e namazit të Fitër Bajramit nëpër Xhamitë e saj, ndërsa Kosova nuk lejon faljen e namazit të Fitër Bajramit.

Kush e ndau sot Kosovën nga Shqipëria?

Sot për Fitër Bajram Kosovën e ndau nga Shqipëria kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Ky kryeministër pothuajse tërë karierën e tij politike e kishte ndërtuar mbi kauzën e bashkimit kombëtar, Shqipëri- Kosovë.
Por, 100 ditët e tij në pushtet mjaftuan që ky të tregoi se sa false dhe sa jo e sinqertë ishte kauza e tij për bashkim kombëtar.
Ky kryeministër bëri ndarjen më të madhe mes shqiptarëve pas asaj të vitit 1912.
Ky kryeministër edhe pse deri vonë ka qenë me bindje ateiste (përveç nëse ditëve të fundit ka pranuar njëshmërinë e ZOTIT), erdhi në pushtet me votat e muslimanëve. Dhe pikërisht për festën e tyre më të madhe Fitër Bajramin, i “shpërbleu” muslimanët me ndalesë për ta falur namazin në Xhami.
Arsyetimi i tij ishte pandemia COVID-19.
Por sipas tij kjo pandemi qenka prezente vetëm në Kosovë, ndërsa Kosova lindore( Lugina e Preshevës), Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet tjera fqinje nuk kanë pandemi!
Është për keqardhje kur udhëheqësit jo shqiptarë si Vuçiçi, Spasovski e Gjukanoviqi i lejojnë muslimanët ta falin Fitër Bajramin nëpër Xhamitë e tyre, ndërsa udhëheqësi shqiptar Albin Kurti nuk i lejon.

Të dashur vëllezër dhe motra, urime Fitër Bajramin.
ZOTI e bekoftë popullin tonë.
ZOTI na dhuroftë udhëheqës të drejtë që e besojnë dhe e dojnë ZOTIN.

Gëzim Kelmendi