Lajme

Kapet në Elbasan llapjani 51 vjeç që trafikonte armë nga Serbia për në Shqipëri

Një 51-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia shqiptare, ndërsa janë sekuestruar edhe 19 pistoleta të kalibrave të ndryshëm, 400 fishekë luftarak dhe 1.6 kilogramë tritol TNT.

51-vjeçari, sipas Policisë së Shtetit, u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.

“Drejtoria Hetimore Qendrore pranë Departamentit të Policisë Kriminele në Policinë e Shtetit, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një trafik të mundshëm të armëve dhe municioneve luftarake nga Serbia në Kosovë e më pas në Shqipëri, referoi materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku u regjistrua procedimi penal i vitit 2019, për veprën penale ‘Trafikimi i armëve dhe i municioneve’. Nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u kryen hetime proaktive, të cilat çuan në finalizimin me sukses të operacionit ‘Papër’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit shqiptar.

Tutje thuhet se në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në rrugën nacionale Elbasan -Peqin, u kap në flagrancë shtetasi Y. A., 51 vjeç, lindur në Kaçandoll dhe banues në Podujevë, Kosovë.

“Ky shtetas u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë. Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot”, ka thënë më tej Policia e Shtetit shqiptar, raporton Koha.net.

Në cilësinë e provës materiale janë konfiskuar 19 armë zjarri të llojit pistoletë, të markave të ndryshme, 400 fishekë luftarak, 4 kallëpe lënde eksplozive të llojit TNT, me peshë të përgjithshme 1.6 kg, 3 telefona dhe automjeti që transportonte armët.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Policia bën me dije se puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal po vazhdon, sikurse edhe për identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar me personin e arrestuar, pasi që, siç thotë Policia, nga veprimet e deritanishme proaktive rezulton se ky shtetas ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë, Shqipëri e vende të tjera.