LajmeTë fundit

Isa Mustafa deklarohet nëse LDK do ta votojë Albin Kurtin, për kryeministër

Në synimin që ta krijojë vetë qeverinë, Lëvizja Vetëvendosje po lë të kuptohet se mban shpresa se do t’i ketë edhe votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të premtuara pas mbledhjes së Kryesise së kësaj partie, para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo, një qëndrim më ndryshe e shfaqi kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, në një intervistë për RTV21, pas seancës konstituive.

Ai ka lënë të kuptohet se Vetëvendosja veproi njëanshëm, dhe pa asnjë njoftim, kur deputeti i saj, Glauk Konjufca, u zgjodh kryetar i Kuvendit.

Mustafa e ka paralajmëruar VV’në se s’do t’i ketë votat e LDK’së, nëse synon ta bëjë qeverinë e vetme.

“S’mund të them se është opsion real (qeveria e pakicës, v.j.), sepse nëse veprohet në mënyrë të njëanshme, pa konsultime, pa njoftime, atëherë s’ka kuptim që të jepen votat blanko”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se LDK’ja duhet t’i japë përgjigje votuesve të vet, në të kundërtën përgjegjësia mbetet tek Vetëvendosje.

“Në qoftë se ne e marrim bindjen, me të cilën i jepim përgjigjen votuesve tanë se kjo është zgjidhje, në rregull, nëse jo atëherë kjo mbetet çështje e përgjegjësisë së VV-së”, ka thënë Mustafa.