Lajme

Haradinaj e shkeli ligjin me vendimin e fundit që e mori si kryeministër

Pak ditë para së të largohej nga Qeveria, Ramush Haradinaj u kujdes që t’ua vazhdojë mandatin edhe për 3 vjet disa drejtorëve të agjencive e institucioneve shtetërore.

Në mesin e tyre ishte edhe emri i drejtorit të Doganave, Bahri Berisha, raporton KTV.

Ani pse mandati i tij i parë do të përfundonte më 8 shkurt të këtij viti, më 24 janar ai mori mandatin e dytë, trevjeçar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Në fakt, vendimi për zgjatjen e mandatit trevjeçar të Berishës mban datën e 24 janarit, por në ueb faqen e Qeverisë një vendim i tillë nuk ndodhet. Sidoqoftë emërimi për mandat të dytë nga Haradinaj, përveç tjerash, u bë në formë të jashtëligjshme.

Kjo, ngase nuk u respektua Kodi Doganor i Kosovës.

Sipas nenit 5, paragrafi 4, të Kodit Nr. 03/L-109 Doganor dhe Akcizave të Kosovës, Ministri i Financave do të duhej të shpallte konkurs publik për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës.

Dhe, pas intervistimit, do të duhej që komisioni të propozonte emrin e kandidatit të Ministrisë së Financave dhe ky i fundit të procedojë tutje në Qeveri. Por, në rastin konkret nuk ka pasur konkurs, e as që është formuar ndonjë komision.

Kryeministri Haradinaj e ka marrë vendimin dhe të njëjtin e ka bërë të ditur vetëm në rrjetet sociale.

“Në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese e ligjore, sot, drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ia kam vazhduar mandatin edhe për tre vjet të tjera. Z. Berisha, përgjatë shërbimit të tij në këtë pozitë ka dëshmuar profesionalizëm e korrektësi dhe me seriozitet ka kryer punët dhe përgjegjësitë e tij në këtë institucion shumë të rëndësishëm të vendit. Z. Berisha i uroj punë të mbarë edhe për vitet e tjera”, kishte shkruar Haradinaj.

Televizioni ka pyetur Qeverinë dhe Ministrinë e Financave, se si është e mundur që të anashkalohet Ligji për emërim të tillë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Kundërshtime për Berishën në krye të Doganave kishte pasur edhe në kohën kur Isa Mustafa e kishte emëruar drejtor, pas rekomandimit të Ministrisë së Financave.

Atë kohë ishte kundërshtuar nga Zyra e presidentit Thaçi, e cila ia pati dërguar një letër kryetarit të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ku kishte ngritur shqetësime se zgjedhja e drejtorit të Doganave bazuar në memorandumin që e kanë nënshkruar me Ambasadën Britanike, ishte i jashtëligjshëm.

Por, kjo ishte kundërshtuar nga Ministria e Financave, e cila kishte njoftuar se zgjedhja e tij ka respektuar të gjitha parametrat e paraparë për këtë pozitë.

“Prandaj, gjatë procesit të rekrutimit dhe emërimit të drejtorit të Përgjithshëm të Doganës nuk është shkelur asnjë dispozitë e Kodit Doganor dhe të Akcizave dhe zbatimi i Memorandumit të Bashkëpunimit është bërë pa interferuar në legjislacion në fuqi”, thuhej në letrën e Ministrisë së Financave.