Maqedoni

Gjykata dënon me burg ish-kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski

Gjykata në Maqedoninë e Veriut ka dënuar me 18 muaj burg ish-kryeministrin Nikola Gruevski për urdhrin për të shkaktuar dhunë në Komunën Qendër, që njihet si rasti “Shuplakat në Qendër”.

Gruevski u shpall fajtor së bashku me ish-ministrin Mile Janakieski i cili u dënua me 1 vit burg me kusht, në rast se në katër vitet e ardhshme nuk e përsërit veprën.

Sipas akuzës, ish-kryeministri Nikola Gruevski e kishte porositur Mile Janakieskin që të organizojë sulm ndaj ish-këshilltarëve të opozitës së atëhershme LSDM, duke e përcjellë në opinionin sulmin si protestë qytetare nga revolta për vendimin për prishjen e një kishe në Qendër, edhe pse një pikë të tillë në rendin e ditës gjatë mbledhjes së këshillit nuk ekzistonte.

Gjykata ka dënuar me 9 muaj burg me kusht në rast se në tre vitet e ardhshme nuk do ta përsërisin veprën e njëjtë, Aleksandar Trajkovskin, Darko Stojçevskin dhe Daniell Trifunovski.

Ndërsa me 6 muaj burg me kusht, në rast se brenda 2 viteve nuk e përsërisin veprën e njëjtë dënohen Trajçe Petkovski, Igor Boshkovski.

Katër të fundit kanë rrënuar rrethojën e Komunës dhe kanë filluar të gjuajnë me lëndë të forta në drejtim të sallës ku zhvillohej mbledhja e Këshillit Komunal, raporton Alsat./ Opinion.al