FutbollSporti

Foto/ Përgjaket Olympiacos-Bayern: tifozët grekë përleshen keq me bavarezët

Ishte vetëm një ndeshje të rinjsh, por kjo nuk i ndaloi tifozët e Olympiacos të përleshen me ata të Bayern Mynih në sfidën e luajtur në Athinë, për Youth League. Situata ka dalë jashtë kontrollit pak minuta nga fundi, ku ndoshta të nervozuar nga katër golat e pësuar, apo thjesht për të krijuar një incident, ultrasit grek kanë pushtuar fushën e stadiumit “Peristeri”, duke sulmuar sektorin e tifozëve gjermanë.

Ka ndodhur pikërisht në minutën e 84 të ndeshjes, kur me shkopinjtë e flamujve në duar dhe me mjete alternative sulmuan egër tifozët e Bajernit, mbi të cilët fluturuan edhe flakadanë. Ndeshja u ndërpre për minuta të tëra, me lojtarët që vrapuan të futen në dhomat e zhveshjes.

Klubi i Olimpiakosit ka kërkuar ndjesë për incidentin e ndodhur, por vështirë se UEFA do ta lejojë këtë episod të kalojë pa një dënim të rëndë. Ndërkohë, masat e sigurisë, për sfidën e orës 21 në Karaiskaki, janë rritur ndjeshëm.