Lajme

Foshnja e lindur pa shenja jete në Spitalin e Pejës dyshohet se u fut në rrobalarëse

Një foshnje që ka lindur pa shenja jete javën e kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, dyshohet se është futur në rrobalarëse. Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, deklaroi për KOHËN se autoritetet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.

“Javën e kaluar ka ndodhur rasti. Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes. Në prokurori jemi në faza fillestare hetimore dhe nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, deklaroi Nikçi.

Burimet i thanë KOHËS të mërkurën mbrëma se për rastin është e njoftuar edhe drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar, Pranvera Zejnullahu-Raci, por ajo nuk iu përgjigj thirrjeve të mediumit.