FutbollSporti

FFK: Zeneli lëndoi ligamentet, për disa muaj jashtë fushës

Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se ekzaminimet e lëndimit të Arbër Zenelit fatkeqësisht kanë rezultuar se bëhet fjalë për një lëndim jo të lehtë.

Në fakt, sipas dr. Florim Ramadanit, i cili i kreu ekzaminimet e nevojshme magnetike të futbollistit, Zeneli e ka lënduar ligamentin e këmbës së djathtë, bën të ditur FFK, përcjell Koha.net.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili i qëndroi gjatë tërë kohës afër futbollistit të Kombëtares pas lëndimit të pësuar në ndeshjen kundër Malit të Zi në Podgoricë, ka shprehur keqardhje për lëndimin që ka pësuar futbollisti ynë.

“Jam shumë i prekur dhe i mërzitur me rastin e Zenelit. Ai është një futbollist dhe një djalë i jashtëzakonshëm. Arbëri është shumë i vlefshëm për ekipin e tij si dhe për ekipin tonë Kombëtar, prandaj për disa muaj që do të jetë jashtë fushës së gjelbër pa dyshim se do të jetë mungesë dhe humbje e madhe, si për ne ashtu edhe për ekipin e tij. FFK dhe ekipi kombëtar i Kosovës, si dhe tifozët ‘Dardanët’ do të jenë përkrah tij për ta kaluar sa më shpejt dhe sa më lehtë këtë lëndim”, ka thënë Ademi.

Tutja ai ka thënë se FFK-ja është e gatshme që ta mbështesë Zenelin në çdo mënyrë që është e nevojshme për ta kaluar sa më lehtë lëndimin që pësoi në krye të detyrës që gjithmonë e bënë me dinjitet.

“Si president i FFK-së iu them familjes Zeneli se Arbëri është djali juaj, por është edhe djali ynë dhe i gjithë Kosovës dhe deri tash e ka kryer me përgjegjësinë më të lartë detyrën e tij për kombëtaren, duke e bërë krenar gjithë kombin tonë. Ashtu siç u dallua i vendosur, i urtë dhe shumë profesional, duke e vendosur shumë herë fatin e ekipit, kam besim që do të jetë i vendosur për ta kaluar edhe këtë sfidë”, ka thënë Ademi.

Arbër Zeneli ka udhëtuar sot në Francë bashkë me familjarët e tij, ku do t’i nënshtrohet operimit, në rast se mjekët e klubit e parashohin një gjë të tillë.