Lajme

Familja Ramadani dëbohet “me forcë” nga banesa në Beograd

Të premten [sot] në mëngjes, familja Ramadani është dëbuar nga banesa në Beograd pa ndonjë njoftim.

Familja pretendon se përmbaruesja publike Vesna Markoviq u ka hyrë me forcë në banesë.

“Sot në mëngjes, me ndihmën e një bravandreqësi, ajo e ka thyer drynin tonë dhe ka hyrë brenda me ndihmën e një oficeri policie”, ka thënë Sevdije Ramadani.

Sipas Ramadanit, Gjykata e Lartë në Beograd ende s’ka marrë vendim përfundimtar për pronësinë e banesës dhe prandaj, siç thotë ajo, nuk ka të drejtë që përmbaruesja t’ia marrë banesën.

Policia ka shkuar në vendngjarje, por nuk i ka lënë mediat të flasin me Markoviqin.

Organizata “Joint Action Roof Over Head” ka njoftuar në Facebook, duke thënë se përmbaruesja Vesna Markoviq ka ndërmarrë veprime pavarësisht se “familja ka jetuar në atë banesë ligjërisht për disa dekada dhe përkundër faktit se gjykata ka caktuar seancën për 14 dhjetor, në të cilin do të përcaktohet pronësia e banesës”.