Bota

Erdogan ndryshon mendje, Shën Sofia do të kthehet në xhami

Një prej godinave më përfaqësuese të Stambollit, Hagia Sophia, do të kthehet në xhami, të paktën kështu ka deklaruar Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, ndërkohë që këtë fundjavë në vend do të mbahen zgjedhjet vendore.

Hagia Sophia, e quajtur në turqisht Ayasofya, në të shkuarën ka qenë kishë por edhe xhami. Për rreth 900 vjet – pasi u ndërtua në vitin 537 nga Perandori Bizantin Justiani – godina ka shërbyer si katedrale ortodokse. Nga viti 1453 deri në vitin 1931, ishte një prej xhamive më madhështore të botës islame, nën drejtimin e Perandorisë Osmane.

Në vitin 1934, Hagia Sophia u kthye në muze me një dekret Mustafa Kemal Ataturk, themeluesit të shtetit modern turk. Statusi shekullar ka bërë që vizitorë të të gjitha feve të shijojnë godinën e mrekullueshme.

Shpesh, komuniteti mysliman organizon ceremoni fetare atje, një veprim që ka sjellë edhe tensione me të krishterët. Por të mërkurën, Erdogan tha për herë të parë që kthimi i Hagia Sophia-s në muze ishte një gabim shumë i madh. Statusi i godinës do të diskutohet pas zgjedhjeve.

Nuk është hera e parë që Erdogan flet për këtë temë. Në vitin 2013 ai pati deklaruar se nuk do të merrte në konsideratë ndryshimin e statusit të Hagia Sophia-s, por shtoi se kishte një kërkesë gjithnjë e më të madhe nga populli turk që ajo të bëhej sërish xhami.