LajmeTë fundit

Edhe një ushtarak shqiptar humb jetën në Letoni

Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO-s, major Klodian Tanushi, ka humbur jetën në Letoni, pasi u plagos pas shpërthimit të minës që vrau nëntetaren Zarife Hasanaj.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhacka.

Në një postim në Facebook, ajo ka njoftuar se Tanushi ka humbur jetën të premten në mbrëmje.

Xhacka ndër të tjera ka bërë të ditur se ai ka lënë pas bashkëshorten me tre fëmijë.

“Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forward Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë”, ka shkruar ajo.