Lajme

Edhe Lutfi Haziri kandidat për kryetar të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nënkryetari i partisë dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka paraqitur kandidaturën për kryetar.

LDK po ashtu ka njoftuar edhe për kandidataturën e anëtarit të kryesisë, Lumir Abdixhiku, i cili e bëri më herë të ditur një gjë të tillë.

Sipas njoftimit, kjo u prezantua në mbledhjen e sotme të kryesisë së LDK-së.

“Në mbledhje u dakordua për përgatitjet e nevojshme dhe të domosdoshme për mbledhjen e Kuvendit dhe në parim u konfirmuan edhe emrat e delegatëve të Kuvendit, të cilët janë konfirmuar nga secila degë e LDK-së”, është thënë më tej.

Tutje LDK ka bërë të ditur se në këtë mbledhje gjithashtu u shpreh se ka edhe kandidatura të tjera që mund paraqiten ditëve në vijim.

LDK më 14 mars do ta mbajë kuvendin ku do të zgjedhë kryetarin e ri pasi kryetari aktual ofroi dorëheqje pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 14 shkurtit, në të cilat kjo parti u radhit e treta.