Lajme

Edhe 28 të shëruar dhe vetëm një rast me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se, sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 194 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, është diagnostikuar 1 rast.

Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Kamenicës 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Poliçkë).

Po ashtu janë shëruar 28 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 561 raste.

Më datë 07 maj 2020, nga Klinika Infektive është raportuar edhe një rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 63 vjeç nga Plavë-Dragash, e konfirmuar me COVID-19 me datë 24.04.2020.

Pacientja është transferuar në Klinikën Infektive nga Spitali i përgjithshëm i Prizrenit në gjendje të rënduar me 26 prill 2020 me Inflitrim pulmonar bilateral dhe sëmundje shoqëruese: Insuficiencë renale terminale, Hemodializë të rregullt, Diabetes melitus.

Nga data 08 shkurt deri më 07 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 9.279 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 861 raste, me 27 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome, transmeton Telegrafi.