Bota

E thotë presidenti Donald Trump – vaksina kundër koronavirusit do të bëhet gati brenda vitit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump foli të premten me konfidencë për mediat nga Shtëpia e Bardhë për arritjen e një vaksine brenda disa muajsh.

Presidenti tha të premten se qeveria amerikane po bashkëpunon me vende të tjera për të zhvilluar me ritme të përshpejtuara një vaksinë kundër koronavirusit, ndërkohë që punohet paralelisht për të përgatitur infrastrukturën për prodhimin dhe shpërndarjen sapo vaksina të jetë gati.

Në konferencën e përditshme për shtyp në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, të premten presidenti doli para gazetarëve, përsëri pa maskë, ndërkohë që zyrtarët e tjerë të administratës kishin vënë maska. Presidenti u shpreh optimist se vaksina do të jetë gati në janar 2021, ndoshta edhe brenda vitit 2020 dhe tha se administrata e tij po mobilizonte forcat për ta shpërndarë menjëherë pas procesit të zhvillimit.

“Besoj se keni dëgjuar të flitet për janarin si afat. Një numër kompanish private po punojnë në këtë drejtim. Edhe qeveria është e angazhuar në këtë proces. Po punojnë pa pushim, 24 orë në ditë. Shpresojmë se do të arrijmë diçka brenda këtij viti, ose pak kohë më pas,” tha presidenti.

I pyetur nga mediat nëse vaksina do të bëhet e disponueshme për të gjithë, Presidenti Trump konfirmoi se vaksina do të merret nga kushdo që do të dëshirojë ta marrë. Presidenti tha se qeveria do të investonte në të gjithë kandidatët më premtues për vaksinë duke shtuar se lista e vaksinave kandidate është ngushtuar në 14 alternativa. Pritet që të shpejti lista të shkurtohet edhe më shumë.

Një nga gazetarët i drejtoi presidentit pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë vaksinën e re, nëse ajo zhvillohet nga një vend tjetër: “Po, e kemi diskutuar. Kushdo që e zhvillon i pari do ta ndajë me të tjerët me krenari. Të shohim. Disa vende janë aleatët tanë; të tjerët jo dhe nuk po bashkëpunojnë ngusht me ne. Por po bashkëpunojnë me vende të ndryshme. Nëse ne jemi të parët, do ta ndajmë me të tjerët”.

Por Presidenti Trump ritheksoi synimet e tij për rihapjen e vendit, pavarësisht nga rezultati i punës për zhvillimin e një vaksine: “me apo pa vaksinën, do ta rihapim”. Për arritjen e objektivit të vendosur, Presidenti Trump njoftoi emërimin e Moncef Slaouit si këshilltar të lartë dhe të Gjeneralit Gustave F. Perna si drejtor ekzekutiv të “Operation Warp Speed”, programit kombëtar që do të përshpejtojë zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave, terapive dhe masave diagnostikuese për COVID-19.

Zoti Slaouit tha se puna e deritanishme i jepte shpresë për një arritje brenda 2020: “Kam parë kohët e fundit rezultatet paraprake nga një provë klinike me vaksinë kundër koronavirusit. Këto rezultate më bënë të ndjehem shumë optimist se do të jemi në gjendje të prodhojmë disa qindra miliona doza vaksine brenda vitit 2020,” tha ai.