Sporti

E papritur, Conor McGregor tërhiqet nga MMA

Conor McGregor është tërhequr nga sporti i MMA. Lajmi është njoftuar sot në mënyrë krejt të papritur nga vetë ylli i UFC në Twitter.

“Përshëndetje njerëz, kam vendosur ta mbyll me luftimet. Faleminderit të gjithë për kujtimet e mrekullueshme. Çfarë udhëtimi ka qenë! Këtu është një fotografi e imja me nënën, në Las Vegas, në një nga titujt e mi botërorë. Ju dua të gjithëve”, shkruan McGregor.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që McGregor njofton tërheqje nga MMA. Në vitin 2016 ai tha se do të tërhiqej pas humbjes me Nate Diaz por katër muaj më vonë u rikthye dhe shumë shpejt u bë luftëtari i vetëm që mbante dy rripa njëkohësisht, në UFC.

Në mars të vitit 2019, ai njoftoi sërish se po tërhiqej nga “Mixed Martial Arts”. Por ky vendim u pasua nga një njoftim tjetër për tu rikthyer në ring. Ai mposhti disa muaj më parë Donald Cerrone, që në raundin e parë.

McGregor është luftëtari më i paguar në historinë e UFC dhe një nga më të mirët e të gjitha kohërave. /opinion.al