Dioguardi: Shqiptarët në Zvicër duhet të kenë lobin e tyre sikur në SHBA
Themeluesi dhe kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptare-Amerikane (ACCL), politikani i njohur amerikan me prejardhje arbëreshe, Joseph Dioguardi, po qëndron prej disa ditësh në Zvicër.
Ai në këtë vizitë po shoqërohet nga bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Shirley Cloyes Dioguardi.Kreu i organizatës që konsiderohet si Lobi i shqiptarëve në SHBA këtu ka ardhur për të mbështetur themelimin e një organizate që do të funksionojë sipas modelit të ACCL-së. Bëhet fjalë për Lidhjen Qytetare Shqiptare-Zvicerane, e cila u themelua dje, më 24 nëntor, në Amriswil të Kantonit Thurgau, me praninë dhe angazhimin e Dioguardit.
Siç e thotë për albinfo.ch mysafiri nga SHBA-ja, kjo organizatë erdhi në jetë me iniciativën e një grupi ndërmarrësish të rinj shqiptarë me qëndrim në Zvicër. Në mbledhjen themeluese në Amriswil u prezantua grupi iniciues, në të cilin bënin pjesë edhe bashkatdhetarë që më parë kishin jetuar në SHBA dhe tani janë shpërngulur në Zvicër. Lidhja e tyre me Dioguardin duket të ketë qenë përcaktuese për themelimin e “Lidhjes Qytetare Shqiptare -Zvicerane”, ashtu si dhe për ftesën e bërë Dioguardit që të jetë pjesë e evenimentit të themelimit.Albinfo.ch me këtë rast ka zhvilluar një intervistë me Joseph Dioguardin, njeriun me të cilin lidhen shumë nga arritjet e komunitetit shqiptar në SHBA në kuptim të sensibilizimit të qarqeve drejtuese amerikane me çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.