Bota

Deputetët iranianë thirrje kundër SHBA-ve, djegin flamurin amerikan në Parlament

Një situatë e pazakontë u regjistrua në parlamentin e Iranit, ku dhjetëra ligjvënës nisën të thërrisnin në kor “Vdekje Amerikës”, pas fjalimit të një prej kolegëve të tyre i cili akuzoi Shtetet e Bashkuara si terroristët e vërtetë të Botës.

“Amerika është vendi më terrorist në Botë duke shpërndarë kaos në vende të tjera dhe duke i dhënë armë të avancuara grupeve terroriste, duke shkaktuar shumë pasiguri. Me pas ata të vijnë dhe të ftojnë që të ulesh dhe të negociosh”, tha gjatë fjalimit zv.kryetari i Parlamentit, Masuod Pezeshkin.

Tensionet mes SHBA dhe Iranit kanë arritur në ekstrem në javën e fundit pas rrëzimit të një droni amerikan survejimi nga trupat iraniane dhe vendimit të SHBA për të sulmuar disa baza të Republikës Islamike, vendim që u tërhoq nga presidenti Trump në sekondat e fundit.

Në një deklaratë për shtyp, ditën e premte, presidenti Trump u shpreh se vendosi në fund që të tërhiqte urdhrin për sulm ushtarak në Iran pasi nga bombardimet do të humbnin jetën të paktën 150 persona.