Deportohet shtetasi i Serbisë që qëndroi gjashtë muaj ilegalisht në Kosovë
Gjykata Themelore e Prishtinës, Dega në Podujevë, e ka dënuar me tre muaj burgim me kusht shtetasin e Serbisë, Dimitrije Ristiq (1997) me vendbanim në Nish për kalim ilegal të kufirit dhe më pas i njëjti është deportuar në Serbi. Ristiq, sipas aktakuzës, e ka kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë, në afërsi të Merdarit, në muajin tetor 2019 dhe për gjashtë muaj ka qëndruar në Kosovë, fillimisht tre muaj në Mitrovicë dhe pastaj në Llapnasellë të Graçanicës.
“Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale, kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare, apo i vijës kufitare, nga neni 140 par. 1 të KPRK-së. Prandaj, gjykata në bazë të neneve…, e gjykon të akuzuarin D. R. me dënim me kusht, ashtu që i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda afatit prej 1 (një) viti nuk kryen vepër të re penale, pasi që ky aktgjykim të marrë formën e prerë”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës-Dega në Podujevë.
E njëjta gjykatë e ka liruar të akuzuarin nga detyrimi i kompensimit të shpenzimeve të procedurës penale, ngase, siç thuhet në aktgjykim, pagesa e tyre do ta rrezikonte gjendjen materiale të pandehurit ose të personave që ai detyrohet t’i mbështesë materialisht. Gjykata ka marrë edhe dënim plotësues për të akuzuarin duke e dëbuar nga territori i Republikës së Kosovës gjatë ditës së hënë.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur aktakuzën me kërkesë për caktimin e paraburgimit, datë 26.04.2020, kundër të akuzuarit D. R. me vendbanim në N., Republika e Serbisë, për shkak të veprës penale Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare nga neni 140 par. 1 të KPRK-së. Lidhur me këtë çështje penale, gjykata ka mbajtur të hënën seancën e shqyrtimit fillestar.