Lajme

Çka është “Asociacioni kroat”, modeli që propozoi Kurti në Bruksel?

Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe (Zajedničko veće opština – ZVO), i cili tubon komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë, është modeli të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dhënë si propozim në Bruksel për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (Zajednica srpskih opština – ZSO).

Kurti, pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, të martën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian – Josep Borrell e Miroslav Lajçak – tha se ka dhënë këtë variant si “draft-vizion” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Vizioni që propozova unë mund të them që është inspiruar nga një marrëveshje që ka bërë Serbia për normalizim. Është marrëveshja mes Serbisë dhe Kroacisë për normalizim. Unë jam inspiruar nga ai model […] Besoj se është modeli i duhur edhe për ne”, deklaroi Kurti.

Qeveria e Kosovës në ndërkohë publikoi edhe draft-dokumentin me vizionin e kryeministrit Kurti për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjese Bazë për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Ky trup apo modeli kroat, i cili është krijuar pas përfundimit të konflikteve në Sllavoninë Lindore në Kroaci, është futur në Marrëveshjen e Erdutit me dokumentin me anë të të cilit është konfirmuar ri-integrimi paqësor i rajoneve që kontrolloheshin nga serbët nën autoritetin e Zagrebit.

Organi është gardian i interesave të komunitetit serb në dy qarqe kroate: Osijek-Baranja dhe Vukovar-Srem, ndërsa përbëhet nga përfaqësues të nëntë komunave: Vukovar, Beli Manastir, Borovo, Erdut, Jagodnjak, Markusica, Negoslavci, Sodolovci dhe Trpinja.

Ai është mekanizëm politik, këshillues dhe koordinues, i zgjedhur në mënyrë demokratike që ka kompetenca “vetëmenaxhuese” sa i përket çështjeve të të drejtave civile dhe kombëtare të serbëve, si dhe çështjeve të identitetit, kulturës, pjesëmarrjes dhe integrimit të tyre në shoqërinë kroate.

Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe mund të jetë shoqatë qytetarësh të cilën, sipas ligjit kroat, mund ta formojë kushdo nga tre persona – ajo formohet në bazë të dokumenteve ndërkombëtare çfarë ka qenë Marrëveshja e Erdutit dhe vendimit të Qeverisë së Kroacisë. Pra, ajo nuk përbën një njësi territoriale.

Kjo pajisje për serbët në Kroaci ishte themeluar mbi bazën e “traditës shekullore të vetëqeverisjes serbe” në Kroaci, e cila shkon prapa në kohën e kuvendeve para kishtare/publike, përmes akteve ligjore dhe politike që rregullonin pozitën e serbëve në Kroaci gjatë shekujve XVIII dhe XIX.

Asambleja Themeluese e Këshillit të Përbashkët ishte mbajtur në vitin 1997 në Zagreb me nxitjen e Aleancës së Organizatave Serbe dhe anëtarëve të saj: Shoqatës Kulturore Serbe, Forumit Demokratik Serb, Komunitetit të Serbëve nga Rijeka dhe Istria si dhe Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe.

Pas miratimit të Aktit Kushtetues për të Drejtat e Pakicave Kombëtare në vitin 2002, kishte ndryshuar edhe struktura organizative e këshillave të pakicave kombëtare etnike. Anëtarët zgjidhen me votim të fshehtë, në zgjedhjet e organizuara nga shteti kroat në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Në nivel komunal, këshilli i serbëve zgjidhet nëse aty jetojnë së paku 200 pjesëtarë të komunitetit serb. Në nivel qarku ky numër arrin në 500. Në rastin kur janë të paktën 100 pjesëtarë, zgjidhet vetëm një përfaqësues i këshillit. Kjo vlenë për njësitë lokale, ku popullsia serbe e kalon pragun prej 1.5 për qind.

Këshilli i Komunave Serbe përbëhet nga kuvendi – organi më i lartë – në të cilin bëjnë pjesë anëtarët nga radhët e komunitetit serb, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake. Ata zgjidhen në përputhje me Statutin e këtij instrumenti. Kuvendi përbëhet nga 28 anëtarë dhe kryesohet nga presidenti i këshillit.

Një çështje tepër e rëndësishme sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është parimi i multietnicitetit. Së pari, pjesë e këtij mekanizmi mund të jenë edhe komunat me pakicë serbe (Vushtrria, Obiliqi, Peja etj.), ngjashëm me atë në Kroaci, ku bëjnë pjesë edhe komunat me pakicë serbe.

Politologu serb nga veriu i Kosovës, Ognjen Gogiç, në një intervistë për Albanian Post, e cila është publikuar më 22 mars, pati thënë se parimi i multietnicitetit mund të plotësohet pikërisht duke marrë parasysh pozitën e serbëve që jetojnë jashtë komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Besoj se do të ishte më mirë për serbët nëse do të kishte ndonjë mekanizëm në nivel qendror që do të merrej me pozitën e të gjithë serbëve në mbarë Kosovën. Në këtë kuptim, më pëlqen ideja e formimit të një Këshilli Kombëtar të Serbëve si ai që ekziston për serbët në Kroaci”, tha Gogiç.

Ndryshe, ekzistojnë pajisje të ndryshme me anë të cilave grupet mund të arrijnë autonomi të pjesshme, territoriale ose jo-territoriale brenda një shteti ekzistues. Në një rast të veçantë kjo do të varet edhe nga karakteri i grupit të përfshirë dhe marrëdhëniet e tij me komunitetin shumicë.

Derisa në Evropën e rajoneve, sipas propozimit të Këshillit të Evropës, autonomitë lokale nuk paraqesin kurrfarë problemi për funksionimin e shteteve përkatëse, në Ballkanin Perëndimor “vetëqeverisjet” zakonisht kuptohen si para-shtete që e presin momentin për t’u proklamuar si të pavarura.

Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, rregullojnë nivelin e “vetëqeverisjes” për pakicat kombëtare në kuadrin e shtetit ligjor, por asnjëra nuk e detyron një vend të adoptojë autonomi territoriale për pakicat kombëtare.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë. /Albanianpost.com/