Opinione

Bugajski: Shtëpia e Bardhë e vendosur të krijojë një marrëveshje Kosovë-Serbi

Eksperti amerikan për Ballkanin nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane, Janusz Bugajski, në një intervistë ka thënë se Washingtoni është i irrituar nga progresi i ngadaltë i Bashkimit Evropian në rifillimin e bisedimeve Serbi-Kosovë.

Analisti e njohësi i rrethanave në rajon, amerikani Janusz Bugajski në këtë intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se Shtëpia e Bardhë duket e vendosur të krijojë një marrëveshje dhe ta prezantojë atë si një sukses të rëndësishëm të politikës së jashtme gjatë zgjedhjeve presidenciale në ShBA.

I dërguari special i ShBA-së për Kosovën dhe Serbinë thotë se Kosova dhe Serbia kanë rënë në dakord për takimin e Shtëpisë së Bardhë në fund të Qershorit – cili është komenti juaj për këtë takim në Washington?

Bugajski: Strategjia e Shtëpisë së Bardhë do të funksionojë vetëm nëse Grenell do të mund ta bindë Serbinë të pranojë shtetësinë e Kosovës, ose të mos e bllokojë hyrjen e saj në institucionet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, mund të përpiqet që të bindë Prishtinën t’i njohë monumentet ortodokse serbe si vende të mbrojtura ndërkombëtarisht dhe të lejojë një shoqatë të decentralizuar të komunave për pakicën serbe.

A mund të na jepni disa detaje më shumë nga ky takim në Washington?

Bugajski: Nuk ka detaje specifike në lidhje me takimin, madje edhe rendi i ditës dhe pjesëmarrësit janë në proces të përcaktimit.

Cili është roli i Bashkimit Evropian në këto bisedime në Shtëpinë e Bardhë?

Bugajski: Bashkimi Evropian nuk ka asnjë rol në takimin e Shtëpisë së Bardhë dhe frikësohet se SHBA-të, mund t’i bindin protagonistët të nënshkruajnë një marrëveshje që do të destabilizonte rajonin seriozisht duke përfshirë ndryshimet e kufijve. Kjo do të inkurajonte shtetet e tjera të kërkojnë më shumë territor nga fqinjët e tyre. BE-ja nuk dëshiron të mënjanohet në bisedimet e ardhshme dhe ka emëruar ish-Ministrin e Jashtëm Sllovak, Miroslav Lajčák, si Përfaqësues Special për të dhënë shtysë të re në arbitrazhin e BE-së. Sidoqoftë, të dyja Prishtina dhe Beogradi e marrin më seriozisht rolin e Amerikës se sa atë të Brukselit.

A besoni se do të kemi marrëveshjen përfundimtare këtë vit në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Bugajski: Kjo varet nga sa është e gatshme Shtëpia e Bardhë që të ushtrojë presion. Nëse nuk ka marrëveshje gjatë verës, pyetja më e rëndësishme do të fokusohej në atë se çfarë do të ndodhë më tutje? A do të largohet Shtëpia e Bardhë thjesht nga negociatat dhe ta lërë mosmarrëveshjen për BE-në, apo do të vazhdojë me kërcënimin e tërheqjes së trupave të mbetura amerikane nga Kosova, të cilat ofrojnë një siguri thelbësore të stabilitetit? I dërguari i posaçëm i ShBA-ve, Richard Grenell, tashmë ka bërë presion për një tërheqje të madhe të trupave Amerikane nga Gjermania dhe Kosova mund te jete në radhë në agjendën e tij.