Lajme

Berger: Në fund të dialogut do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme

Sekretari i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Migel Berger, në një intervistë për Deutsche Welle tha se në përfundim të dialogut Kosovë-Serbi duhet të bëhen edhe kompromise të dhimbshme. Ai tha se përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrel dhe emisari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e kanë mbështetjen e plotë të shtetit gjerman për punën e tyre rreth dialogut.

“I dërguari special i BE -së për dialog, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, kanë mbështetjen tonë të plotë. Ata janë duke bërë pikërisht atë që tani për tani është e drejtë: T’i ulin të dyja palët në bisedime. Në fund, do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, në mënyrë që negociatat të përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese, që do t’u mundësojë të dy vendeve të bashkohen me BE-në”.

Sekretari gjerman shtoi se zgjidhja e konflikti mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt.

“Zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt. Të dyja vendet, dhe i gjithë rajoni, po nga mungesa e përparimit në zhvillimin dhe stabilitetin e tyre. Prandaj përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE është shumë i rëndësishëm”.

Berger foli edhe për çështjen e trajtimit të së kaluarës të cilën kryeministri Albin Kurti e ka përmendur si parakusht për bisedime të suksesshme me Serbinë.

“Një parakusht i rëndësishëm është që çdo palë të përballet me përgjegjësinë e vet. Përballja me të kaluarën është e mundur vetëm mbi këtë bazë. Unë e theksova këtë edhe në diskutimet e mia në rajon. Sidoqoftë, përballja me të kaluarën nuk duhet të jetë parakushti i dialogut, sepse kështu bisedimet do të jenë të pamundura. Në këndvështrimin tim është e anasjella: Një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë do ta bënte më të lehtë përballjen me të kaluarën”.