Basha përpara Kryeministrisë: Rama po e çon vendin drejt një përplasjeje civile
Mes thirrjeve “Rama ik!”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij para protestuesve të mbledhur në sheshin përballë godinës së Kryeministrisë, akuzoi kreun e qeverisë, Edi Ramën, se me zgjedhjet vendore të 30 qershorit po kërkon të çojë vendin drejt një përplasjeje të pashmangshme civile, vetëm për hir të interesave dhe pushtetit të tij.
“Mjerë ai që nuk ka vesh e nuk dëgjon. E dëgjon e gjithë Shqipëria, e gjithë bota, zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë. Rama ik. Në një javë Europa tregoi standardin e saj të vërtetë. Nga Londra në Vjenë, politikanët e përgjegjshëm dhanë dorëheqjen e i rikthyen sovranit atë që është e sovranit. Sot në vendin tonë, për akoma pak kohë, zotër janë politikanë të lidhur me krimin, një grup horrash që kanë marrë peng partinë e tyre dhe e shohin popullin si shërbëtor. Edi Rama sakrifikoi gjithçka të qytetarëve, vodhi zgjedhjet për një qëllim, pushtetin e tij, për këtë do ta cojë vendin në një përplasje të pashmangshme civile. Duke cuar për herë të parë në 29 vite, të njëjtët trafikantë e banditë, figura të krimit, që nëse drejtësia nuk do ishte e kapur, do i dënonte për përfshirjen e tyre në shitblerjen e votës. Për pushtetin e tij, për pasurinë e tij, jo vetëm i ka mbrojtur kriminelët por do përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipërinë.”- u shpreh Basha para protestuesve.